VARGJE TË NGROHTA PËR FËMIJË NGA LIBRI “GJYSH TË KAM SHOQE” TË AUTORIT AGIM GASHI - DRENICA

 

Nga Arsim Halili

 

Libri 'Gjysh, të kam shoqe' nga Agim Gashi - Drenica

 

 Ndonëse i një moshe të pjekur, ai nuk ka tentuar që para lexuesve të paraqitet apo të eksploroj vetëm volum artistik. Poezia te Agimi lindi herët, gjithsesi ai me artin e tij krijues trokiti te lexuesi i saj përmes revistave të kohës.

 

Agimi  vjen para lexueseve të vegjël me një buqetë poetike e titulluar me një antitezë gjinore “ Gjysh të kam shoqe”, dhe çka e ka shtyrë autorin të vë këtë titull do të shohim gjatë kronologjisë që do t’i bëjmë kësaj vepre. Vepra e Agim  Gashit  vështruar nga këndvështrimi  teorik, mund të shihet në këto rrafshe: atdhetar, edukativ,përkushtimor, satirik, por që të gjitha këto çojnë në një emërues të përbashkët Dashuria për fëmijët. Përmbledhja poetike” Gjysh të kam shoqe”, ekskluzivisht dedikohet moshave shkollore

Ndonëse  shikuar si tema edhe janë trajtuar e do të trajtohen në vazhdimësi nga poetet  tjerë, mund të themi poeti vjen me bagazh krijues,  i cili lexuesin që në poezitë e para e bënë të përjetoj,  atë që e shkruan autori. I gjithë vokabulari i tij  krijues mbështet në Dashurinë për atdheun qoftë në aspektin përgjithësues, qoftë edhe atë përkushtimor në këtë segment  në fokus të veçantë  është krye heroi ynë Adem Jashari. Kurorëzimi i idealit shekullor gjithsesi është pikë referente edhe në muzën e autorit, këtë më së miri e  shohim përmes poezisë

 

Me fat Pavarësia

 

Themelet e tua  Kosovë

të lara me gjak

nga trimat që mbrojtën

nder edhe prag

E shndritshme Kosovë

Për ty ardhmëria

Me fat , me fat, me fat

Kosovë Pavarësia

 

Nga kjo poezi shohim se poeti përkujton lexuesit sakrificën dhe përjetimin, të kaluarën, vuajtjet për të arritur deri te qëllimi madhor që gjithsesi do t’i shërbej brezave që vijnë, por edhe atyre që janë ende në moshën e adoleshencës.

Simboli i dashur për fëmijët zakonisht në festën e fund viti Babadimri, vitet para 2008 në Kosovë kishte  nga fëmijët vetëm një kërkesë që të ja sjellin dhuratë Pavarësinë dhe këtë përjetim  të fëmijëve autori e përjeton emocionalisht dhe ja se si e përshkruan.

 

Letër Babadimrit

 

Vërtet nëse do

Ta ruajmë miqësinë

Sillna- babadimër

Këtë vit Pavarësinë

 

Cili fëmijë nuk e do zilen e shtatorit?!, të gjithë i gëzohen asaj, shtëpia e dytë më të dashur për  ta është shkolla,pastaj familjarizimi me shokë, me mësuesinë, është gëzim që poetet dinë ta  përshkruajnë bukur përmes pendës së tyre. Edhe poeti  Gashi e trajton  në një nga poezitë e tij.

 

Një shtatori

 

N’ oborr të shkollës

Qe një kohë bosh

Filluan  të mblidhen

Nxënësit n’ qosh .

 

Nuk mjafton vetëm ardhja në  shkollë, aty ka rregulla dhe rregullat dhe përgjegjësitë, duhet të zbatohen edhe nga nxënësit, autori me shumë kujdes edhe artistik edhe humoristik i porosit fëmijët si t’i ruajnë mjetet mësimore, të krijojnë shprehi për mirësjellje në shkollë, në rrugë në familje.  Njohurive për mirësjellje edukative që fëmijët i marrin qoftë nga mësuesit e tyre, qoftë nga librat shkollor, domosdo do t’i marrin edhe nga shumë poezi të poetëve paraprak, por edhe nga poeti Gashi,  përmes këtyre poezive:

Fletorja, Lapsi, Goma,Vërejtjet  e nënës, Të dashur fëmijë, etj.

Poeti  duke qenë  portretizues i mirë i natyrës, veçmas asaj rurale, përmes poezive të tij, sjell peizazh të bukur poetik në veçanti për natyrën e bukur rurale. Autori me dashamirësi  trajton  në natyrën e tij poetike edhe shpendët, shtazët, pastaj lexuesi do të kënaqej duke lexuar  poezi  për lumin,livadhet e  vendlindjes.

Plaga më e rëndë për të gjithë ne, varësisht nga mosha varësisht nga vendi ku gjendemi, varësisht nga profesioni që kemi, sigurisht  se  po na përcjell ndër vite është edhe Mërgimi, por për autorin e librit, kjo plagë është dyfish më e rëndë. E them këtë për arsye se edhe vet poeti gjendet larg  vendlindjes me vite të shumta dhe kjo ndjesi dhembje, ja shton edhe  rrita e fëmijëve  në mërgim e herë- herë me tendencë  që të harrojnë gjuhën e tyre të bukur. Këtë dhembje poeti më së miri e shpreh përmes vargjeve që gjithsesi janë edhe porosi për prindërit, që të kenë kujdes në kultivimi gjuhës shqipe, pavarësisht rrethanave dhe kushteve ku gjenden ata

 

Lotët e Gjyshit

 

Qëndroi veç një  javë

Kish ardhë për një  muaj

Me fëmijët s’u mor vesh

Flisnin gjuhë të  huaj.

 

Dhe nuk është vetëm kjo poezi  brenda kësaj përmbledhje shohim dhembje te shumë poezi të tilla si : Mërgimtarëve,Letër nga Kosova,  Kah është Kosova,Pagëzimi i nipit. Gjysh të kam shoqe.

Poeti Agim Gashi një  poet i cili në stilin e tij krijues, me kompetencë, na sjell edhe fabulat e vargëzuar dhe jo vetëm fëmijët, por edhe ne të rriturve, na jep këtë dozë humori, por sarkazma tij, duhet edhe të kuptohet edhe për sjellje të njerëzve, më ndryshe. Vargëzimi këtyre fabulave  e vërejmë më së miri te : Pula në internet ,Për një hoxhë,I kallur se i kallur,Ujku në Pazar, janë dëshmi se poeti ka efikasitet artistik edhe përmes këtij zhanri.

Ajo që mund të  themi se vepra “ Gjysh të kam shoqe” që në lexim të parë të bënë për vete,  brenda saj shihet thjeshtësia në të shkruar, pa e ngarkuar me fjalor që për fëmijët mund të jetë me shprehje abstrakte,por se lexuesi në një farë forme i percepton vargjet e  poetit e këtë e  them se gjatë leximit të saj fëmija do ta gjej veten sikur është:  në shtëpi, shkollë , livadh, treg , pyll , thjesht gjithkund, ku poeti përkushton vargje. Kjo përmbledhje te nxënësi e ofron  edhe në aspektin edukativ, qoftë përmes poezive, apo përmes fabulave të vargëzuara . Figurat që e dominojnë poezinë e Agim Gashit janë kryesisht : Krahasimi, sarkazma, hiperbola, alegoria, antiteza. Ndaj mund të konkludojmë se autori nuk ka shkruar këtë përmbledhje vetëm sa për të plotësuar ambiciet tij e të që qenit poet, por ka gërshetuar mirë artin e tij letrar me përditshmërinë e fëmijëve varësisht nga rrethi që jeton, ai u jep porosi, u jep këshilla, ja kujton të kaluarën dhe të sotmen.

Kjo është penda Agim Gashit e cila u premton lexuesve  të vegjël me të bukurën, ata janë më të bukurit dhe duan ambientin e tillë. 

 

 

 

NJË DHURAT E BUKUR PËR LEXUESIT E VEGJËL

 

Agim GASHI "Gjysh te kam shoqe"

      (vjersha për fëmijë)

 

Botuar nga shtëpia botuese

"Shqipëria Etnike"Prishtinë , 2009

 

 

Lexues të dashur dhe të nderuar, poeti Agim Gashi ka kohë që është i pranishëm nëpër letrat tona me krijimet e tij letrare, por kësaj radhe ai na vjen me përmbledhjen e tij të parë me një titull mjaft simpatik “ Gjysh të kam shoqe” , duke na dhuruar kështu vargjet e tij të  krijuara në kohë dhe vende të ndryshme. 

    Vjershat e tij janë të shkruara me kujdes dhe shpirt për çka  besoj se do t’i bëjnë shpejt për vete  jo vetëm të vegjlëit, por edhe të rriturit.

Vjershat e Agimit në vete bartin porosinë edukative dhe vijnë në të shumtën e rasteve edhe me një dozë  të lehtë humori çka e bëjnë edhe më tërheqës leximin e tyre. Siç e ceka edhe më lart  autori në këtë vepër ka vjersha të krijuara këtu e tridhjetë  vjet më parë, por që as sot e kësaj dite nuk e kanë humbur aktualitetin për çka dëshmojnë për fuqinë krijuese dhe cilësinë e autorit. Edhe tematika e vjershave që përmban kjo përmbledhje është mjaft e larmishme. Autori shkruan edhe për jetën rurale. Ja  si e mban pezull lexuesin deri në fund se çfarë ishte ai kalë, pa jelë, pa shalë, pa këmbë pa veshë:

 

ju bëj be në mollë

ju betohem në dardhë

kali i parë-

që e shalova në arë

nuk ka qenë lodër fëmijësh

as kali prej druri

po...një dukë gruri..!

 

Shkruan për trimat. Vjershën me titull Bac u kry, e nisë me vargjet:

 

Kush tha rënia sjell humbje

- nuk është e vërtetë ,

rënia jote Baca Adem

- na dha forcë për jetë.

 

Kur Agimit iu desh të emigrojë si qindra e mijëra shqiptarë të tjerë nëpër vendet e ndryshme të perëndimit, ai atëherë e pa se sa e rëndë është jeta jashtë atdheut, jashtë vendlindjes. Prandaj edhe për mërgimin dhe jetën atje ka një varg vjershash që i shpërthejnë nga brendia e shpirtit.

     Duke trokitur derë më derë e duke kërkuar banesë, vendësit mund ta pranonin në banesë ndonjë familje me qenë a mace, por jo edhe me të huajt që ishin me fëmijë. Në fund të përpjekjes për të gjetur banesë, Agimi  përmbyll vargjet në bisedë me nipin:

 

Rrugës për shtëpi

më thotë Beni- gjysh,

më mirë paska qenë

të kisha qenë k’lysh!

 

Malli për vendlindjen nuk e len të qetë. Mendjen dhe ëndrrat i ka në Kosovë, sikur të gjithë mërgimtarët tanë, shumë prej të cilëve me vite nuk e kanë vizituar Kosovën për shkak të statusit të pazgjidhur të tyre. Ja një dialog në mes të Lindës, e lindur jashtë atdheut dhe Mërgimit që ende e mbante mend vendlindjen:

 

Si s'të pëlqejnë vëlla

he ti mbetsh pa mend,

ku ka lojëra më të mira

-sesa në këtë vend ?!

 

Ka, si nuk ka

ia ktheu Mërgimi-Lindës,

lojërat më të bukura

n'livadhe t'vendlindjes.

 

Në këtë tematikë ndërtohet edhe vjersha për pagëzimin e nipit. Pas shumë e shumë propozimesh për emra të bukur, më në fund vendosin që nipin ta pagëzojnë me emrin Atdhe.

Derisa zogjët shtegtarë vijnë nga jugu dhe andej kthehen prapë, autori  thotë :

 

Zogjët e Kosovës

Zogjët  e vendit tim

Nuk ikën në jug

Por në perëndim

 

Mirëpo, ai i thërret të kthehen nga vendet e huaja, atje ku bukës i thonë bukë e ujit ujë. Atje ku gjumi të merr më mirë. Atje ku edhe ëndrrat janë më të bukura sesa në vend të huaj. Autori thërret bashkatdhetarët të kthehen atje sepse:

 

Na thërrasin varret

na thërrasin pragjet,

- na presin nënat

t'ua terim faqet.

 

Vargu i tij është i qetë në shikim të parë por karekterizohet me thellësinë e tij dhe përmbajtjen porositëse. Ai din të jetë gazmor por herë herë sjell edhe shqetësimet dhe brengat që  i preokupojne fëmijët.

Autori ne kete permbledhje sjell kujtimet nga fëmijëria e tij por edhe nga fëmijëria e fëmijëve tanë në mërgim ku jeton edhe vetë poeti.

Pasi Agimi është edhe gjysh, as atij nuk i kanë shpëtuar pa i zënë frymëzimet nga loja me nipër e mbesa. Edhe vet titulli i kësaj përmbledhjeje e dëshmon këtë. Mbesa në pamundësi të shoqërohet me mocaniket shqiptare e ta ndajë lojën me të, ajo luan me gjyshin. Prandaj edhe ajo i ka thënë: Gjysh të kam shoqe. A  nuk është ky titull mjaft domethënës.

Gjyshi Agim, sikundër edhe gjyshët tjerë, luan me nipër e mbesa nganjëherë deri në atë masë kur mbase i bëhet edhe pak tepër. Ai edhe mund të lodhet nga loja që fëmijët e duan deri në pafund, por gjyshi prapë mbushet energji. Mbushet energji nga nipërit e mbesat të cilët ia mbushin bateritë:

 

A e dini ku e merr

gjithë atë fuqi?!!!

Nipër dhe mbesa

- i ka bateri.

 

Agim Gashin e brengos pa masë edhe frika nga asimilimi i mijëra fëmijëve tanë në shtetet e ndryshme jo vetëm të Evropës. As këtë brengë nuk e ka lënë pa e pasqyruar në disa nga vjershat e tij. Ai që e kupton peshën e kësaj dukurie nuk mund t’i lexojë këto vargje pa iu rrënqethur trupi. A nuk është e rëndë kur gjyshi nuk mund të merret vesh me nipër e mbesa, të cilët flasin në gjuhë të huaj.

Një gjysh mezi kishte pritur ta marrë vizën e të shkojë te nipërit e mbesat, por :

 

Qëndroi veç një javë -

kish ardhë për një muaj,

me fëmijët s'u mor vesh

-flisnin në gjuhë të huaj

 

Me shpresë se do të kënaqeni me vjershat që përmban kjo përmbledhje, ju dëshirojmë  lexim të këndshëm, kurse mikut Agim Gashi i dëshirojmë shëndet të mirë, sukses në punën e tij krijuese  që të mos ndalet, por të na  dhurojë edhe libra të tjerë si ky